Tuesday, October 24, 2006

Kur Shqipëria e Zogut promovonte turizmin kulturor në Francë

Botuar ne gazeten SHQIP
Gusht 2006


Dossier


Si promovohej turizmi kulturor në periudhën e Mbretit Zog me anë të miqve të Shqipërisë si francezi Fernand Vaten, që kishte vizituar vendin tonë, i cili më 1935-ën mbajti një konferencë mbi Shqipërinë dhe shqiptarët në qytetin Sen Llo, ku ishte prefekt nderi. Dhe konferencat publike të profesorit Petraq Pepo në qytetin e Korçës, mbi mënyrën se si duheshin thithur turistët e huaj

Kur Shqipëria e Zogut promovonte turizmin kulturor në Francë

Nga Dashnor Kaloçi

Në emisionin “Ekskluzive” të transmetuar kësaj të diele në televizionin “Top-Cannel”,(prodhim i Departamentit të Informacionit i këtij televizioni), ku gazetarja Genta Popa kishte zgjedhur për të trajtuar temën e turizmit në vendin tonë dhe në atë të fqinjit verior, Malin e Zi, ndër të tjera u vu re se ministri i Turizmit i shtetit të porsakrijuar malazez, në intervistën e tij theksoi se një nga mënyrat e marketingut që ata kishin përzgjedhur për thithjen e turistëve të shumtë nga bota ishte dhe ajo e reklamave televizive në stacionet e njohura, si BBC apo Euro News. Gjë që në vendin tonë, jo vetëm për këtë stinë turistike që sapo kaloi, por edhe gjatë gjithë periudhës 15-vjeçare postkomuniste, ka qenë fare e panjohur dhe nuk është aplikuar asnjëherë. Është për të ardhur keq që nuk ndodh kjo, pasi tradita në këtë fushë (ndonëse me mënyra të tjera), në vendin tonë jo vetëm që nuk ka munguar, por ajo është aplikuar që në kohën e Monarkisë së Zogut. Në mungesën e teknologjisë së sotme të mjeteve të komunikimit masiv, asokohe gjendeshin mënyra të tjera për të promovuar turizmin kulturor dhe për të thithur turistët e huaj. Për këtë gjë bëjnë fjalë dhe dy shkrimet e mëposhtme, të cilat i kemi shkëputur nga gazeta “Besa” e Tiranës e vitit 1935 (me pronar e botues Fiqri Rusi), ku pasqyrohet fare qartë se çfarë bënte në atë kohë qeveria e Mbretit Zog për promovimin e turizmit dhe ardhjen e turistëve të huaj në vendin tonë. Për të sjellë në kohë atmosferën e atyre viteve, të dy shkrimet që kemi përzgjedhur po i japim të plota dhe pa asnjë ndryshim (nëntitujt janë vënë nga ana jonë) nga sa janë shkruar në gazetën në fjalë.

Një konferencë mbi Shqipërijnë
Marë nga gazetat frenge; “Le Courrier de la Manche” dhe “L’ Ouest-Eclair” (Përkthyer nga z. S. KOLEA)
Në Sen-Elo (Saint-Le) qëndër të Prefekturës së Manikës (Manche), të Mankës’ në të Vjeshtës’ së Tretë të vitit’ të kaluar, Zoti Fernand Vaten (Vatin) mbajti një konferencë mbi Shqipërinë përpara një rrethi të gjërë paresije Zonjash dhe Zotërinjsh. Zoti. F. Vaten, doktor në Drejtësije dhe Prefekt nderi, është nga të pakët të kombit’ të tij q’i ka shetitur’ dhe shetin botën vetëm’ se vetëm’ që të shoh sa më shumë qytete njerëzish dhe t’u njoh mëndje dhe jetën. Përveç Francës dhe vëndve rreth e përqark. Zoti Vaten ka bërë rrugëtime të gjata në Europën’ e mezit’ në Europën e lemesë, në Sardenjë, në shumë krahina të Afrikës, tyke qëmtuar lëndë të zgjedhurë të qyshdo dore, që pastaj i bëhet gjësenda e vepravet’ të shuma që kanë dalur’ nga penda e tij. Përmbi dyzet vepra me lëndë të ndryshme, janë dëshmitarë të gjallë të zotsijës’ së tij si vëshgjimtar i thellë dhe si shkrimtar i palodhurë.

Udhëtimi në Shqipëri i francezit Vaten
Në Shqipëri Zoti Vaten dhe Zonja e tij qëndruanë për më shumë se një muaj kohë (në Gushtin e tërë gjer më 8 të Vjeshtës së Parë 1934) dhe shëtitën gjithë krahun e jugut duke pasur kështu ngeh dhe kohë të gjatë për të parë për së imti sende, që s’ka si shifen n’ një rrugëtim shkel e shko siç bëjnë shumica e të hujvet. Mu’ pra, këto kujtime shtroj para mbledhjes së zgjedhurë të Sen-Lloditë, tyke zbukuruar fjalën e tij me pamje dhe fotografija që pat marrë në Tiranë, në Elbasan, në Berat, në Korçë e ngjetiu. Konferenca që u zgjat për më se dy orë kohë, qe përkrahur nga Shoqëria e Arqeolohgjisë dhe u mbajt në sallën e madhe të festave të Bashkijës së qytetit. Bota që rrudhi për të dëgjuar fjalën plot hije dhe gjallnijë të ligjëritarit të shquar qe aq shumë, sa mezi mundi të gjej vënt në atë sallë, përndryshe tepër e gjerë. Është me aftë të shënojmë se konferenca nisi me një përmbledhje të jestorijës, së vjetër dhe së vonë të Shqipërijës. Zoti Vaten nuk la në harrim as rrënim, e shkretimet që i kanë lënë luftarat të fundit, në të cilat bijtë e saj nuk patën dorë aspak, mu si nuk patën dorë as në luftat më të hershme kur sundimtarët të huajë erdhën e danë ngarravijat të vehta në fushat e Shqipërijsë. Zu në gojë luftën e Qesarit kundër Pompejt rreth e përqark Durrësit’ dhe luftën afër Sarandës’ ku Antoni që kishte me vehte dhe Kleopatrënë, mbretëreshën e fundit’ të Misritë, prej gjaku shqiptar. Për Shqipërijën e sotme Zoti Vaten tha se nga gjate e gjerë është afro një shkallë e mesme me Belgjikën e Shvicrrën; po sikur të qe të mblidhesh i tërë kombi shqiptar ndënë një të vetëm sundije kombëtare, kufizat e Mbretërinjës’ së tij’ së lirë gjan zgjeroheshin gjer dy fije më tepërë, nga që janë të shumtë shqiptarët që kanë mbetur jashtë kufijavet të sotme në Jugoslavijë dhe në Greqisë.

Vend i bukur ku mbretëron qetësija
Vëndi është i bukur për t’u shkruarë dhe cosa pika munt të vihet krah për krah me Shvicrënë. Toka është pëllore dhe me pak më shumë kujdes shpërblen me duarë plot djersën që i derth njeriu; gjithë prodhimeve të Europës së Perëndimit vijnë në Shqipërijë, dhe vijnë me vërshë dhe të dorës së mirë. Dhe gjith kafshët shtëpijake që njeh Evropa rriten dhe bëjnë ondije në tokën e Shqipërijës. Rrugët janë të shtruara për të lëvrijtur anë e mbanë automobilat, të cilat në Shqipërijë zënë vendin e udhëvet të hekurta që sot për sot i mungojnë. Qetësija dhe sigurija janë të plota. I huaji, pra, munt të rrugëtonjë dhe me lehtësijë edhe pa kurrë farë friket, qoftë ditën qoftë natën. Gjindja në mënyrë të përgjithshme është zemër e derëçelur për të huajtë, të cilët gjejnë gjithkund vënt për të bujtur, të pajuar, me shumën e herës me të gjitha lehtësijat të jetës së sotme; vetëm ndër vise të mënjanuara, o ndër malësija munt të shënohen mungesa mbi këtë pikë.

Tirana, kryeqyteti duke u rritur
Kryeqyteti i Mbretërijës është Tirana, një qytet i vogël që vete duke u rritur dhe duke u përsëritur dhe duke u zbukuruar dita për ditë. Projti i kryefillmë është Durrësi; pas tij vijnë Vlora, Saranda dhe Shën-Gjini; në të gjitha këto projte zënë tok për ditë vaporat të shoqërijavet detare të Italijës dhe Jugoslavijësë. Shqiptarët kanë rrënjën nga Pelëshgjetë q’ë shumë shekuj para kohës së Krishtërimit, patën zbritur nga Azija e afërt dhe zunë vënt në gjthë krahinat t’ë Ballkanisë duke ushtrirur gjatë Dalmacisë gjer në bregun e tejmë të Detit të Bardhë, në shumë krahina të Italijës. Peleshgjit, ushdukën’ nga gjithë këta vise, duke u tretur ndër kombe t’jerë që mësyjnë vendet njeri pas jetritë’ vetëm në Shqipërijë rrojnë sot nipërit e tyre.
Shqiptarët burra trima, të shquar e të pashëm
Shqiptarët’ janë burra të pashëm, të shëndoshë, zemërgjerë, derëçelur, trima me lëndijë të madhe për çdo sent që i takon lirijës dhe nderit. Ky komp që lëngojë për pesë shekujsh kohë ndënë zgjedhën e Tyrqvet, ka qitur në dritë njerëz të mëdhenj në çdo degë veprimi të njerzsisë. Fletët të jëstorijës kujtojnë shumë emra Shqipëtarësh që ushquan si prijës ushtrijash si politikanë të hollë si qeveritarë të zotë. Pas shlirimit të vendit nga zgjedha e huaj dhe sidomos pasi u shpërndanë retë e zeza të luftës së madhe, Shqipërija u vu në rrugën e përparimit në të gjithë degat e jetës njerëzore. Ky përparim po zhvillohet me çapa viganjsh që ditën që mori frerin e qeverimit L.M. e Tijë, Mbreti Zogu i I-rë. Janë pemët të zotsijës së Tij të palodhura gjithë sa shifen sot në Shqipërijë, të cilën e pat mbuluar mjerimi pas luftavet të fundit. Është mëndja e gjërë e L.M.së Tij Mbretit dhe krahu i Tij i pushtetshëm që dijti me anën e një qeverrimi të fortë po njëherit dhe atëror, të zhvillojë dhe të rregullojë çapat’ të Kombit të tij’ në rrugën e jetës Kombëtare.

Harmonia fetare
Për nga ana e fes, Shqiptarët janë për dy të tretat Myslymanë dhe për nj të tretat të Krishterë (Ortodoksë e Katolikë) po të gjithë kanë sinjë të gjallë në zëmër mallin e atdheut, që i vëllazëron, dhe të gjitha janë prapa Mbretit të tyre në luftën e rrebtë së cilës i është përveshur L. M. e Tij Zogu i I-rë për të kaoatitur me çdo mënyrë jetën e kryembëvetës të kombit të Tijë dhe për të prijtur në rrugën e lumturijës”. (Gazeta “Besa”, e Mërkurë 16 Nëndor 1935)


Konferencë e Z.Prof. Petraq Pepo, me themën ”Turizmi dhe Shqipëria Kulturore”

Pardje të dielën, në lokalin e cinemasë “Lluka” të këtij qyteti. Z. Prof. Petraq Peppo, mbajti, para, një shumice populli dhe inmtelektualësh, konferencën e paralajmëruar me themën “Turizmi dhe Shqipëria kulturore”. Shqipëria-filloi të flasë z. Peppo-përpara Luftës Ballkanike ishte pak e njohur dhe e konsideronin këtë si një vend të shkretë ku banonte një popull kusarësh, por tani ka vjete që janë botuar shumë libra që flasin mi të vërtetën e këtij vendi, andaj Shqipërija po njihet më tepër. Po megjithë këtë vendi ynë nuk tërheq aq turistë sa tërheqin shtete të tjera të Ballkanit, megjithqë Shqipërija në mesjetë tërhiqte shumë më tepër të huaj, sepse vendi t’onë si fort mirë dihet, ndodhet në boshtin e Mesmë të Detit Mesdhe dhe është aq largë Sirisë sa edhe Gjibraltarit. Veç kësaj-vazhdoi Zoti Peppo-Shqipërija megjithqë është një vend malësor, nuk është një ndalim për udhëtarët se ka lugina që i bien kryq dhe është vendi në Ballkan që i afrohet miq tepër Evropës së qytetëruar. Andaj ndodhemi në një gjendje t’ë favorshme për të tërhequr turistët, pse sot turismi është zhvilluar shumë dhe shumë shtete kanë fitime të mëdha nga të huajt, sipër shembull zvicerianët dhe grekët. Për këtë qëllim-theksoi Zoti Peppo-u formua në Tiranë një Zyrë Turistike por që të sjellë kjo zyrë efektet e duhura, duhet që antarët e saj të sjellin një kujdesje të veçantë dhe të krijojnë punët me sistem. Midis shumë gjërave-thotë konferencieri–që tërheqin tursitë, është dhe arhelogjia dhe arti. Shqipërija në pikëpamjen e arheologjisë qëndron në dorën e parë, se në kohërta e vjetra guxojmë të themi, vendi tonë ishte zemra e qytetërimit dhe për këtë mjafton të kujtohen qytetet që lulëzuan asi kohe sio Scodra (Shkodra) Metallum (Shën Gjini) Buthrotum (Butrintoja) Apollonia (Pojani) e tj. Shqipërija që në kohrat prehistorike dhe protohistorike banohesh, se arheologët e ndryshëm e të shumtë kanë gjetur sende gjithfarësh që përdornin njersit e asaj kohe. Në Butrinte, shton konferencieri, janë gjetur sende që përdorin Ilirjanët, gjë interesante për ne se na provon që përpara se të huajt të vinin në vendin tonë, ky banohesh prej gjyshërve tanë Ilirjanë... Gjithashtu janë gjetur shunmë tumuli në vënde të ndryshme të Shqipërisë dhe nuk duhet harruar se epoka greko-romane sjell një kujdes të madh për vendin t’onë se qytetërimi arrin kulmin, arti, skalaktika dhe arkitektura u përhapën aq shumë sa vlefta e tyre krahasohet me veprat e qyteteve më të famshme t ‘asaj kohe. Këtu konferencieri zhvilloj gërmimet arheologjike që janë bërë në Butrintio dhe në Apolloni, foli p.sh. mbi Portikën që është 77 m. e gjatë që u zbulua në Pojan, mbi kokën prej mermeri të Oktavit, mbi statujën e Ceres-it, mbi kokën e mermertë të një gruaje. Mbi Seramikët, mbi Mozaikët, Bas-relief që u zbuluan po ashtu në Pojan etj etj...Vazhdoi pastaj dhe përhapi gjat e gjerë mbi mithollogjinë e Butrintos “Buhtrati açedimus urben”, foli mbi Eneidën, Piron, Andromakën etj... si edhe mbi sendet e ndryshme që janë gjetur në gërmimet e bëra në këtë vend, të cilat rradhiten në moshën e gurit e të tunxhit, mbi epokën klasike, mbi muret e Akropolit, sidomos mbi portën monumentale q’i përngjan shumë Porta Scea të Trojës para së cilës u zhvillue dyeli legjendar midis Arhileut dhe Ektorit, duke u zgjatur edhe në gërmimet e vitit 1931, të cilave u dha rëndësi të veçantë sepse këto gërmimje zbuluan një Theatër madhështor, zhvilloj pjesët e kësaj theatroje dhe përshkoj në pikëpamjen poetike, kokën me një famë të përbotëshme, q’u zbulua në ato gërmime, e që u quajt, La Dea di Butrinto. Konferencieri përshkrojti përgjithsisht arhitekturën dhe pikturën e kishave dhe veçanërisht u tha se në disa kisha gjenden shënjtorë që kanë veshje Shqiptare, gjë që na provon se artisti ishte influencuar prej zakoneve të vendit t’onë...Foli gjithashtu edhe mbi Xhamitë edhe minaret të cilat i përshkojti si në pikëpamjen e arhitekturës ashtu dhetë pikturës dhe shpjegoj me mjeshtëri dekorin epigrafik të letrave arabe në Teqenë e Krujës...Zhvilloj bukur e mirë fortesat në Shqipëri, artin e grave, të qilimave, të tapetave, me të cilat i gjeti shumë interesante si nga subjekti ashtu dhe nga stili...Më pas shpejgoi edhe stolisjen e veshjes Shqiptare dhe zbukurimet e armëve, si dhe punimin e hollë të argjendit... Më në fund, konferencieri t’onë i çquar, me talentin e tij të bukur e me një gjuhë t’ëmbël, provoj se Shqipërija është vendi turistik i dorës së parë, si nga natyra që krahasohet me Zvicrrën, si nga aherollogjia që nuk ka frikë t’i dalë ballë hapur Greqisë, por duhet të bëhet një propagandë e madhe dhe e pareshtëshme që të tërheqim turistët, të cilët kur të vinë në Shqipëri, do të na kujtojnë, do të na duan e do të lënë miliona e do t’i tregojnë botës se jemi një popull që kemi vendosur të jetojmë të lirë dh të lumtur. Shtojmë me këtë rast të bukur se vetë Zoti Prof. P. Peppo është i vetmi nga arsimtarët e këtij qyteti që vit për vit pa u kursyer as pak, mban nga dy tre konferenca publike, mbi subjekte të ndryshme q’i intersojnë shumë vendit t’onë. Por nuk duhet harruar se Profesori t’onë i mirnjohun edhe si arsimtar e ka përmbushur plotësisht detyrën e tij; me shumë sakrifica ka shpurë nxënësit të Lyceut në Berat, Muzeumin e Fierit, në Pojan, Mborje, Voskopojë e gjetkë, ku ka shpejguar në vënd qytetërimin e vendit t’onë në kohë të kaluar. Për të gjitha këto, Profesori t’onë i palodhshëm është për t’u lavdëruar dhe nuk i duhet kursyer përkrahja e duhur në raste të tilla.

(Gazeta “Besa” e Mërkurë 30 Nëndor 1935)

0 Comments:

Post a Comment

<< Home