Thursday, November 02, 2006

“Si na stërvisnin oficerët amerikanë në Gjermani”

Botuar ne Revisten SHQIP

Gusht-Shtator, 2006

Dossier

Relacioni i qeverisë shqiptare më 1951 për Kryetarin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Padilla Nbrovo: Ja dëshmitë e diversantëve shqiptarë që u përgatitën nga zbulimet sekrete Perëndimore pranë Kompanisë 4000 në Mynih të Gjermanisë Federale, për të zbarkuar më pas në malet e vëndit tonë

Nga: Dashnor Kaloçi

Mbas një muaji stërvitje, dhe pikërisht në muajin gusht 1950, prej Mynihut na shpunë në një katund 18 km në jugë të tij, që quhet Ëekterhov. Këtu gjendeshin rreth 150 depo të amerikanëve, të cilat ishin të mbushura me bomba aeroplani të çdo kalibri, me raketa me municion mitrolozi për aeroplananët. Këto depo ne i morëm në dorëzim nga gjermanët, të cilët bënin roje më përpara se të shkonim ne atje. Në orët e lira neve amerikanët na mësonin të shkruanim, të lexonim, të mësonim gramatikë, arithemtikë, gjeografi etj. Disa herë atje na mbanin konferanca ku flitej shumë keq për pushtetin e sotëm në Shqipëri, ku na paraqitej shumë e vuajtshme jetesa e popullit tonë, na flitej shumë mirë për demokracinë amerikane dhe shanin Bashkimin Sovjetik e vendet e tjera të Demokracive Popullore”. Kështu thuhet, në mes të tjerash, në dëshmitë e të arratisurit politik Selim Daci, lidhur me stërvitjen që kishte bërë ai dhe një grup i madh shqiptarësh të tjerë antikomunistë në disa prej kampeve të Gjermanisë Perëndimore, ku përgatiteshin për t’u hedhur si diversantë në Shqipëri, në përpjekje për të përmbysur regjimin e Enver Hoxhës. Këto dëshmi, si dhe disa të tjera të dhëna në hetuesi apo në gjyqe të ndryshme prej diversantëve që ishin stërvitur nga zbulimet e huaja Perëndimore dhe që zbarkuan në tokën shqiptare deri në mesin e viteve ’50 nga ajri, toka e deti, u përmblodhën në një raport të titulluar “Veprimtaria e emigracionit reaksionar shqiptar dhe diversantët e hedhur në vendin tonë”, të cilën qeveria shqiptare nëpërmjet zëvendësministrit të Punëve të Jashtme, Mihal Prifti, ia dërgoi Presidentit të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Padilla Nbrovo. Po çfarë shkruhet më tej në realcionin e zëvendësministrit të Jashtëm, Mihal Prifti, për Presidentin e OKB-së dhe cilat ishin dëshmitë e diversantëve shqiptarë lidhur me kurset përgatitore që ata kishin bërë nga zbulimet e huaja në disa kampe të ndryshme të vendeve Perëndimore? Për të gjitha këto e të tjera ngjarje, ku flitet për “Veprimtarinë e emigracionit reaksionar shqiptar”, bëhet fjalë në disa dokumente arkivore të Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë, një pjesë prej të cilave po i publikojmë në këtë shkrim.

Raporti i zëvendësministrit të Jashtëm, Mihal Prifti, për Presidentin e OKB-së
“Përpjekjet e reaksionarëve për t’u financuar nga kolonia e SHBA-së”
Në fillimin e relacionit të zëvendësministrit të Punëve të Jashtme, Mihal Prifti, për Presidentin e Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Padilla Nbrovo, jepet një përmbledhje e hollësishme mbi përqendrimin dhe organizimin e forcave dhe grupeve të ndryshme të shqiptarëve antikomunistë në vendet Perëndimore. Lidhur me këtë gjë, midis të tjerash, aty shkruhet: “Përqendrimi ma i madh i gjithë forcave reaksionare shqiptare që mundën të shpëtojnë nga drejtësia e popullit, është kryesisht në Itali, Greqi dhe më vonë në Jugosllavi, dhe në rradhë të dytë në Turqi, Egjypt, Francë, Amerikë etj. Deri në vitin 1946, forcat e tyre nuk ishin akoma t’organizuara, megjithse në pjesën më të madhe të grumbulluara në kampe, në fillim të U.N.RR.A.-s dhe më vonë në ato të I.R.O.S. Në këtë kohë gjendja e emigracionit shqiptar ishte shumë e vështirë. Në rradhët e tyre ekzistonte frika e dorzimit simbas vetë dekllaratave të kryetarëve të shteteve të mëdhenj t’Amerikës, t’Anglisë dhe Bashkimit Sovjetik. Me qëllim që t’i nënshtronin dhe t’i bënin vegla për interesat e tyre, vetë anglo-amerikanët përhapnin fjalë n’emigracion se gjoja të gjithë ata që kishin bërë krime gjatë luftës do të dorzoheshin shteteve përkatëse si kriminelë lufte. Krahas kësaj, drejtorët e kampeve që ishin amerikanë dhe englezë, nëpërmjet krerëve të emigracionit filluan një propagandë të shfrenuar kundër Pushtetit Popullor, duke e paraqitur gjendjen në Shqipëri shumë të pasigurt, ku populli vuante nga uria, nga terrori dhe ku njerzit çdukeshin për të vetmin faj të tyre se nuk ishin komunistë. Nga ana tjetër, për të prerë çdo çfaqe pendimi mbi të kaluarën, e cila filloi të zgjohej në këtë kohë në shumë emigrantë të thjeshtë të gënjyer nga krerët e tyre dhe që çfaqnin dëshirën për t’u kthyer në atdhe, drejtorët e kampeve dhe krerët e kriminelëve, përhapnin lajme të rreme mbi Shqipërinë, për vrasje të përditshme dhe të tmerrshme, si p.sh. paraqitnin sikur njerzëve ju pritet koka, veshët, duart, u nxirren sytë dhe u mbërthehen në perona (gozhdë. Shënimi ynë). Kur shifnin që edhe kjo mënyrë propagande nuk zinte vend, ata arrestonin dhe çduknin persona të ndryshëm, duke përhapur lajme se ishin dorzuar Qeverisë Shqiptare. Me gjithë këto forma Anglo-amerikanët aritën që të terrorizojnë të gjithë emigacionin dhe e detyruan atë që t’i bindej diktatit të tyre. Kështu kriminelët shqiptarë nga kjo gjendje, qysh nga ajo kohë ishin vënë në dispozicion të shërbimit imperialist anglo-amerikan. Emigracioni shqiptar i përqëndruar në kampet i I.R.O.S. ishte në gjendje të vajtueshme, si nga gjendja ekonomike ashtu dhe përsa i takon shpresës së rikthimit në Shqipëri. Moralisht këta ishin shumë t’ulët dhe nuk mund t’u kërkohej as aktivitet. Financimi deri në këtë kohë nga ana e anglo-amerikanëve ishte i pakët dhe këtyre u mungonin edhe fondet e nevojshme për një aktivitet të madh propagandistik kundër vendit t’onë. Kjo gjendje i detyronte të kërkonin burime të tjera dhe të tilla ishin për ta burimet shqiptare n’Amerikë, Australi e gjetkë. Në këtë drejtim ata kanë bërë përpjekje të mëdha, sidomos në atë të Amerikës. Atje dërguan njerëz me rëndësi si p.sh. Hasan Dostin e Stavro Skëndin e tjerë, me qëllim që të propagandonin kundër R.P.SH. dhe ta bënin për vehte kolloninë për ta patur jo vetëm si mbështetje financiare, por njëkohësisht edhe morale”.

Dëshmia e diversantit Selim Daci
Në pjesën më të madhe të relacionit të zëvendësministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Mihal Prifti, për Presidentin e Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Padilla Nbrovo, jepen dëshmitë e disa prej diversantëve shqiptarë, që, sipas raportit të qeverisë shqiptare, i kishin dhënë ato dëshmi para gjyqeve të popullit (Arkivi i MPJ. Dosja 260. Viti 1951). Lidhur me këtë, në relacionin e qeverisë shqiptare të firmosur nga Mihal Prifti midis të tjerash shkruhet: “Kohë mbas kohe kriminelët shqiptarë për t’u futur në shërbim të amerikanëve, të cilët do t’i përdornin për t’i dërguar në grupe diversantët kundër Republikës Popullore të Shqipërisë. Krerët e kriminelëve shqiptarë me qëllim që t’ju ngrinin moralin dhe t’i bindnin për fitoren e sigurt dhe të shpejtë, shkonin nëpër kampet dhe kurset ku instruktoheshin kriminelët shqiptarë dhe u mbanin fjalime të ndryshme. Në këtë mënyrë del e qartë qëllimi dhe shërbimi i këtyre njerëzve të shitur, të cilët vetëm për interesat personale të tyre gënjenin masën e emigrantëve që të hidheshin qorraj në Shqipëri për qëllimet e imperialistëve të Amerikanëve. Ashtu siç do të vërtetohet edhe më poshtë krerët kriminelë si Abaz Kupi, Abaz Ermenji, Gaqo Gogo, Vasil Andoni, Seit Kryeziu etj nuk bëjnë gjë tjetër veçse zgjedhin, grumbullojnë, seleksionojnë kriminelët shqiptarë dhe i detyrojnë ata me anë kërcënimesh që të vihen pa rezerva në shërbim të spiunazheve imperialiste. Në lidhje me sa sipër krimineli diversant i kapur në tokën Shqiptare, Selim Daci deponon në procesin e tij sa më poshtë: “Mbas një muaj stërvitje dhe pikërisht në muajin gusht 1950 prej Munichut na shpunë në një katund 18 km në jug të tij, që quhet Ëekterhov. Këtu gjendeshin rreth 150 depo të amerikanëve, të cilat ishin me bomba aeroplani të çdo kalibri, me raketa me municion mitrolozi për aeroplanët. Këto i morëm në dorëzim nga gjermanët, të cilët bënin rojen më përpara. Në orët e lira neve amerikanët na mësonin të shkruanim, të lexonim, të mësonim gramatikë, aritmetikë, gjeografi etj. disa herë na mbaheshin konferenca, ku flitej shumë keq për pushtetin e sotëm në Shqipëri na e paraqesnin shumë të vuajtshme jetesën e popullit tonë, na flitnin shumë mirë për demokracinë amerikane dhe shanin Bashkimin Sovjetik dhe Demokracitë Popullore. Në Ëekterhov na ka ardhur Abaz Kupi, i cili mblodhi gjithë kompaninë tonë dhe na përgëzoi për sjelljet tona të mira ndaj amerikanëve dhe se gjoja kompania e jonë ishte më e mira në të gjithë Munichun. Pastaj ai na tha këto fjalë: “Mos u mërzitni se miqtë tanë amerikanë dhe anglezë na kanë dhënë fjalën që Shqipërinë do ta çlirojmë që sivjet”. Abazi u largua nga kompania jonë mbas 5 ditësh dhe gjatë kësaj kohe ai qëndronte vazhdimisht me oficerë amerikanë dhe anglezë të kampit. 20 ditë mbas ikjes së Abaz Kupit na erdhi në kamp edhe Abaz Ermenji, i cili na përgëzoi për vullnetin dhe sjelljet tona të mira me shokët dhe na tha se juve këtu nuk jini vetëm 200, do të shikoni se do të vijnë së shpejti me mijëra shokë të tjerë, populli shqiptar ju është mirënjohur amerikanëve për ndihmat që na jep neve. Mbas disa ditësh të largimit të Abaz Ermenjit erdhi në kamp edhe Seit Kryeziu, i cili në një fjalim të shkurtër që na mbajti, midis të tjerave, na tha se sipas fjalës të amerikanëve do ta çlirojmë Shqipërinë që sivjet dhe se dëshironte që kur neve të hidheshim në Shqipëri të punonim dhe të sakrifikojmë deri në vdekje për çlirimin e Shqipërisë”.

Dëshmia e diversantit Muhamet Hoxha
Pas asaj pjese të relacionit ku jepen dëshmitë e diversantit Selim Daci, lidhur me aktivitetin e grupeve të shqiptarëve antikomunistë në kampet e Gjermanisë, jepet edhe dëshmia e diversantit tjetër Muhamet Hoxha. Lidhur me këtë, aty shkruhet: “Kriminelët shqiptarë në kampet amerikane të Gjermanisë mbasi qëndronin për një kohë dhe merreshin me stërvitje ushtarake, mbasandaj ndaheshin nëpër grupe të vogla dhe dërgoheshin nëpër vende të izoluara ku instruktoheshin për të përvetësuar mirë profesionin e spiunazhit dhe të diversionit. Në lidhje me këtë, diversanti Muhamet Hoxha deklaron në procesin e tij sa më poshtë: “Mbasi udhëtuam të mbyllur në një kamion ushtarak për një orë rresht mbërritëm në një vilë buzë një liqeni. Këtu u pritëm nga drejtori i kursit, nga një amerikan me emrin Enrik. Ditën e nesërme drejtori i kursit na mblodhi në një sallë dhe na porositi që të mos bisedojmë me personelin e vilës dhe për çdo nevojë që do të kishim ti drejtoheshim atij. Pastaj mbasi na prezantoi profesorët e kursit na tha: ‘Juve jini të ndarë në dy grupe, 14 veta do të mësoni për radio transmetuese dhe të tjerët do të ndahen në katër grupe të ndryshme’. Pastaj drejtori na tha se neve ishim dërguar nga komiteti ‘Shqipëria e Lirë’ në këto kurse për t’u specializuar për tu bërë sa më të aftë në çlirimin e Shqipërisë dhe se amerikanët janë në bashkëpunim të ngushtë me komitetin dhe punojnë për të njëjtin qëllim. Kursi zhvillohej me këtë program: çdo ditë bënim një orë gjimnastikë, dy orë mësim për radio-telefon, një orë instruksion mbi përdorimin e thikës, mundje, boks dhe mbi armët parabël dhe automatik gjerman, dy orë mbas dite na shfaqeshin filma mbi lëndën e shpjeguar dhe dy orë bënim mësim mbi përdorimin e parashutave. Mbas dy jave, mësimi mbi parashutën u la dhe në vend të saj na u vunë dy orë instruktazh spiunazhi, një orë gjeografi dhe topografi. Për spiunazhin na jepte mësim drejtori Enrik, ndërsa më pas profesori Fellrs Amerikan, i gjimnastikës, pasi drejtori më vonë u zëvendësua me një profesor tjetër amerikan me origjinë greke emrin e të cilit nuk e di. Gjatë kohës që ishim në këtë kurs, në vilën Breshter Graden dhe pikërisht tre javë mbas fillimit të kursit, drejtori i shkollës, Enrik, na lajmëroi se do të kishim vizitën e disa krerëve të komitetit ‘Shqipëria e Lirë’ dhe pak më vonë mbërriti në vilë Abaz Kupi, Abaz Ermenji dhe Gaqo Gogo. Të nesërmen në mëngjes na mblodhën të gjithëve dhe mbledhjen e çeli drejtori Enrik. Mbasi na përgëzoi për sjelljet e mira që kishim treguar përpara kryetarëve tanë i dha fjalën Abaz Kupit, i cili na tha se neve në Shqipëri shkonim për të luftuar dhe jo për të ruajtur kokën, se duhet të harronim grindjet që kishim midis grupeve të ndryshme por të shihni vetëm interesin e përbashkët të atdheut. Pas tij e mori fjalën Abaz Ermenji, i cili përsëriti fjalët e Abaz Kupit dhe shtoi se në Shqipëri përveç neve do të vinin edhe shumë shokë të tjerë, por neve duhet të qëndronim të fshehur që të mos diktoheshim dhe do të ndiqnim të njëjtën taktikë që bënin partizanët komunistë, sepse ishim njerëz të ngarkuar me misione sekrete. Në rast se do të shikonim keq duhet të zhduknim menjëherë dokumentat dhe në asnjë mënyrë të mos binim të gjallë në duart e komunistëve. Nëqoftë se do të diktoheshim nga forcat e qeverisë të kalonim menjëherë në tokën greke dhe tu jepnim autoriteteve të kufirit parrullën ylli special. Të njëjtën gjë mund ta bënim edhe për në tokën Jugosllave dhe që atje do të vinin menjëhrë të na merrnin”.

Stërvitja në kampet e Greqisë
Pas dëshmive të diversantit Muhamet Hoxha, në relacionin e zëvendësministrit Mihal Prifti jepet edhe një përmbledhje lidhur me aktivitetin e emigracionit politik shqiptar në disa kampe të Greqisë. Lidhur me këtë, aty shkruhet: “Në mbarim të kurseve të spiunazhit grupet e kriminelëve shqiptarë niseshin me aeroplan nga Gjermania, fluturonin mbi tokën italiane dhe zbritnin në një aeroport jashtë Athinës. Mbasi qëndronin për një kohë në Greqi i pajisjen me vesh-mbathje civile me thika dhe armë të ndryshme, me radio transmetente, me blloqe shifre dhe me dybli dhe mbasi ju merren me anën e një aparati zëri i diversantëvfe ju bënin dokumentat e komitetit ‘Shqipëria e Lirë’, ju jepnin nga një automatik, revolver, fishekë dhe nga dy bomba dore i nisnin me aeroplan për t’i hedhur me parashutë në malet e Shqipërisë. Ja çfarë deponon diversanti Iljaz Toptani mbi përgatitjet para se të hidheshin në tokën shqiptare: ‘Para se të niseshim për në Shqipëri, profesori i bazës në Greqi na pyeti edhe njëherë në se i mbanim mënd pseudonimet e grupit që na ishte caktuar dhe shtoj se nëqoftë se ndonjë nga nacionalistët do të ndiqet prej qeverisë, juve do t’i thoni të kalojë kufirin nga ana e Prespës, ku me të rënë në duart e autoriteteve greke, ai do të merret në dorzim nga ana jonë”.

Fotot
1. Pjestarë të organizatës Balli Kombëtar të inkuadruar në Kompaninë 4000 në Munchen Firtauzen të Gjermanisë Federale në vitin 1950, të cilët komandoheshin nga major Caush Aliu. Në mes tyre: Azis Rustja (nga Bredica e Shkodrës), Ded Voc Kiri (nga Kiri i Shkodrës) dhe Hamit Tosha nga Berdica i cili zbarkoi më parshutë në Shqipëri, dhe u vra nga forcat e Sigurimit të Shtetit më 14.VIII.1951 në afërsi të lumit të Kirit në Shkodër.

2. Qani Tora nga Mallakastra me një shqiptar tjetër, të inkuadruar pranë Kompanisë 4000 në Munchen të Gjermanisë Federale në vitin 1951

3. Faksimile të dokumenteve arkivore të Ministrisë së Jashtëme në Tiranë, të cilat i përkasin vitit 1951, kur zv / ministry Mihal Prifti, në emër të qeverisë shqiptare informonte OKB-në për zbulimet e huaja sekrete që stërvisnin të arratisur për të zbarkuar në pas në vëndin tonë.


Wednesday, November 01, 2006

Historia e Shqipërisë në fokusin e studiuesve të huaj

Botuar ne gazeten SHQIP
30 qerhor, 2006

Dossier

Studiuesi i njohur i arkivave të historisë, italiani Eugeni Buçioli, ka botuar kohët e fundit albumin e ilustruar me fotografi të titulluar: “Shqipëria, fronti i harruar i Luftës së Madhe”. Parathënia e këtij albumi është bërë nga studiuesi i njohur i Universitetit të Venecias, Francesco Leoncini, dhe në 153 faqet e tij pasqyrohet historia e Shqipërisë dhe roli i saj në vorbullën e Luftës së Parë Botërore.

Nga Dashnor Kaloçi

Pjesën më të madhe të albumit e zënë fotot që publikohen për herë të parë, të cilat janë marrë nga arkivat e Vjenës, Pragës, Universitetit të Kembrixhit, si dhe nga shumë arkiva private të autorëve të njohur. Kapitullin e parë të albumit, autori Buçioli e ka filluar me një thënie të shkrimtarit të njohur, Ismail Kadare, e cila është marrë nga libri i tij “Daullet e Shiut”, ku thuhet: “Mendoj që Allahu duhet të ketë qenë shumë i zemëruar kur krijoi atë vend”.

Historia e popullit shqiptar, e fokusuar që nga kohët më të lashta e deri në ditët e sotme, vazhdimisht ka ngjallur dhe vazhdon të ngjallë ende interesin e shumë albanologëve, studiuesve, historianëve dhe publicistëve të huaj, të cilët herë pas here kanë botuar libra voluminoze me studime dhe me mjaft vlera, duke pasqyruar me vërtetësi të kaluarën e kombit shqiptar dhe rolin që ai ka luajtur në zhvillimet ballkanike e evropiane, si në planin politik ashtu dhe atë historik. Një nga botimet e fundit të studiuesve të huaj për Shqipërinë është dhe albumi i ilustruar, i cili titullohet “Albania fronte dimenticato grande guerra”, (Shqipëria fronti i harruar i Luftës së Madhe) i autorit italian Eugenio Buçioli, i cili ka pak kohë që ka parë dritën e botimit. Ky album është një botim luksoz i edicionit “Historia në dimensionin e ri” dhe përbëhet nga gjashtë kapituj (bashkë me fotot e ndryshme, që zënë pjesën kryesore të albumit, arrijnë në 153 faqe), për të cilat është përdorur një bibliografi e gjerë, si në materialin e shkruar ashtu dhe në atë fotografik. Për mbledhjen e fotove të albumit janë shfrytëzuar arkivat e Vjenës, (dr. Wladimir Aichelburg) të Pragës, (ing. Ladislav Hofbauer) të Universitetit të Gazetarisë të Kembrixhit (Storia del mondo moderno. Vol. XII), si dhe disa arkiva private, si ai i dr. Maurizio Lucheschi, Luigi Princivalli, Domenico Serafin etj. Parathënien e këtij albumi e ka shkruar studiuesi i njohur, Francesko Leoncini, që aktualisht është pedagog në Universitetin e Venecias.

Shqipëria në Luftën e Parë Botërore
Në gjashtë kapitujt që përbëjnë këtë album të ilustruar, të cilat janë përgatitur nën kujdesin e Mariano Rosit, kryesisht jepet një pasqyrë e ngjarjeve ku u ndodh Shqipëria në Luftën e Parë Botërore dhe rolin që ajo luajti, duke qenë si pjesë përbërëse e skakierës ku u zhvillua ajo luftë. Kapitullin e parë të albumit, autori Buçioli e ka filluar me një thënie të shkrimtarit të njohur Ismail Kadare, e cila është marrë nga libri i tij “Daullet e Shiut”, ku thuhet: “Mendoj që Allahu duhet të ketë qenë shumë i zemëruar kur krijoi atë vend”. Më pas, në atë kapitull në mes të tjerash jepen disa të dhëna mbi origjinën e shqiptarëve. Lidhur me këtë, në mes të tjerash, autori Buçioli ka shkruar: “Shqiptarët quhen me këtë emër në shtëpinë e tyre” dhe më pas ai i bën një jehonë luftërave të Heroit Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, duke thënë se ai luftoi për 24 vjet në krye të shqiptarëve, kundër 200 mijë trupave turke të të njëjtit sulltan. Në kapitullin e dytë të albumit, autori ndalet gjerësisht duke dhënë informacione të bollshme mbi Kongresin e Berlinit dhe luftërat ballkanike e marrëveshjet që u bënë në atë kohë në mes Rusisë, Turqisë, Austrisë dhe shteteve të tjera evropiane. Në mes të tjerash, në atë kapitull autori shprehet: “Në kërkim të origjinës të shpirtit kombëtar shqiptar arrihen në qëndrime apo shfaqjet e para në luftën ruso-turke të vitit 1877 dhe ndarja e Kongresit të Berlinit një vit më pas”. Duke paraqitur rrjedhojat që erdhën pas Kongresit të Berlinit, autori shprehet se Shqipëria mbeti një provincë turke, jo pa e vuajtur copëtimin e saj territorial në favor të Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë, e cila mori apo aneksoi një pjesë të Epirit, që ishte territor autokton shqiptar. Po aty, autori ndalet në Lidhjen e Prizrenit, e cila u mbajt në vitin 1878, duke thënë: “Aty u vendos për të mbrojtur me armë integritetin tokësor të dhunuar në Berlin dhe pas këtij vendimi, kryengritësit shqiptarë zëvendësuan forcat otomane, që u tërhoqën nga territoret e nënshtruara. Kundër vullnetarëve shqiptarë të Veriut, Turqia dërgoi 30 mijë trupa që të thyenin Lidhjen e Prizrenit dhe pas kësaj ekspedite, krerët e Lidhjes u vranë apo u internuan dhe princi më me peshë e ndikim të madh te shqiptarët, Preng Bibë Doda, u morr peng”. Pas kësaj analize, autori i bën një pasqyrim ngjarjeve të mëvonshme, duke u shprehur: “Pas pesë vjetësh nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit, fiset e Hotit, Kastratit e Shkrelit, u mblodhën në një Lidhje të re, me qëllim për të rivendikuar territoret shqiptare që iu dorëzuan Malit të Zi. Manifestimet nacionaliste shqiptare u zhvilluan edhe në sfondin e luftës ruso-turke të vitit 1897 dhe të revolucionit të xhonturqve të 1908-ës. Për fat të mirë të shqiptarëve, pjesëtimi apo copëtimi i territoreve të tyre binte ndesh me interesat e Austro-Hungarisë, që të dyja të vendosura për zgjidhjen e pavarësisë së Shqipërisë, kundër planeve aneksioniste të vendeve fqinje, të cilat për një kohë të gjatë kishin ushtruar ndikimin e tyre në këtë vend. Italia, nëpërmjet shkëmbimeve tregtare dhe Austro-Hungaria, duke mbështetur me financime të mëdha praninë e kishës katolike, veçanërisht në provincat e Veriut të Shqipërisë”. Më pas, në atë kapitull flitet për fillimin e luftërave ballkanike dhe synimet e fqinjëve si Greqi, Mal i Zi, Serbi e Bullgari, si dhe qëndrimet që mbajtën asokohe shtetet e ndryshme të Ballkanit. Po ashtu, aty jepet një pasqyrë e ngjarjeve, në të cilat u ndodh Shqipëria pas shpalljes së pavarësisë dhe ardhjes së Princ Vidit, si dhe zhvillimet politike që ndodhën gjatë asaj kohe.

Tragjedia e serbëve në Shqipëri
Në kapitullin e tretë të albumit, autori i ka kushtuar një vend kryesor, atë çka iu ndodhi serbëve, kur ata u mundën nga austriakët dhe në tentativë për t’u shpëtuar atyre, kaluan nëpër malet shqiptare (Alpet e Veriut) për të dalë në bregdetin Adriatik. Lidhur me luftën e austriakëve me serbët, në mes të tjerash autori Buçioli shprehet: “Tërheqja e serbëve nëpër Shqipëri konsiderohet si një nga ngjarjet më tragjike të luftës së madhe. Të sulmuar në fillimin e tetorit të vitit 1915, në Veri nga austro-gjermanët dhe në Lindje nga bullgarët, që donin të pengonin bashkimin me franko-anglezët, të dislokuar në luginën e Vardarit, serbët qenë të shtrënguar të sprapseshin drejt Perëndimit, të mbështetur nga malazezët. Para serbëve marshonin austro-hungarezët e zënë rob në fazën e parë të luftës, ku, sipas burimeve italiane, ishin rreth 70 mijë veta, të cilët të ekspozuar ndaj ashpërsive të stinës së ftohtë, të paushqyer dhe të goditur nga sëmundja e tifos, gjatë rrugës së tërheqjes ata ranë në prehrin e vdekjes dhe vetëm 27 mijë e përfunduan kalvarin tepër të mundimshëm të tyre në territorin e Shqipërisë. Bashkë me ata ishte dhe oficeri çek, Rudolf Prohaska, i cili në kujtimet e tij të botuara në vitin 1928 në Pragë, në mes të tjerash ka shkruar: “Gjatë atij udhëtimi rraskapitës nga akulli, ngrica dhe uria, ne marshonim të lodhur nëpërmjet të papriturave të pyjeve. Për të mposhtur urinë, ne detyroheshim të shkëmbenim rrobat e trupit dhe batanijet që kishim me vete, me ushqimin që merrnim në fshatrat shqiptare, si mish qengji apo patate”. Në kujtimet e tij për shqiptarët, mes të tjerash Prohaska shprehet: “Ata ishin të pajisur me një instinkt të paepur për lirinë, por të privuar nga sensi i disiplinës, në rebelime të përgjakshme e të vazhdueshme me autoritetet e veta, të papërgatitura për çdo shkëndijë pranimi të shtetit dhe të ndarë në klane (fise) përjetësisht rivalizuese”. Ata preferonin të merreshin vesh me robërit hungarezë, më tepër se me serbët, që i shihnin në mënyrë armiqësore. Jo të gjithë i rezistonin mundimeve mbi shtigjet me dëborë të Malësisë. Kush binte i rraskapitur, vdiste pa asnjë mundësi ndihme. Më në fund serbët hodhën në lumin Drin gjithë atë çka i pengonte për ecjen: kamionë, topa, deri dhe automobilin e Mbretit Pjetër”.

“Shqipëria ka një të drejtë të pakontestueshme mes popujve të Ballkanit”

Vlerësimet e studiuesve dhe politikanëve të huaj për albumin

Në kapitullin e katërt të albumit pasqyrohet Shqipëria e periudhës 1913-1918, e okupuar nga fuqitë e huaja dhe referencat janë marrë nga libri “Historia e administratës austro-hungareze në Shqipëri (1916-1918)“, i autorit gjerman, Helmut Shvanke. Midis të tjerash, në atë kapitull autori shprehet: “E bërë e pavarur një vit përpara shpërthimit të luftës së madhe, Shqipëria u kthye për të qenë gjatë konfliktit, ashtu siç kishte qenë në shekuj, e okupuar në dy të tretat prej austro-hungarezëve dhe në pjesën tjetër prej italianëve e francezëve”. Po ashtu, në atë kapitull jepen dhe vlerësimet e shumë politikanëve të huaj, të cilët janë pasqyruar në botime të ndryshme, si ai në “Les peuples libres” (Lossana prill 1918), ku thuhet: “Duket se një fakt të jetë i fituar sot në histori dhe kjo është se kombi shqiptar është zgjuar dhe duhet të dijë me çmimin e sakrificave më të mëdha të rimarrë vendin, për të cilin ka një të drejtë të pakontestueshme mes popujve të gadishullit Ballkanik”. Në pjesën e gjashtë, që është dhe kapitulli i fundit, jepen dëshmi të ushtarëve triestinë nga fronti serbo-shqiptar (si territor), duke i pasqyruar ato me faksimile autentike nga letra dhe kartolina të dërguara prej tyre familjeve. Përveç materialit të pasur burimor historik, i cili është marrë nga arkivat më të pasura evropiane, ajo që e bënë më interesant këtë album, janë fotografitë e shumta të botuara, të cilat janë një dëshmi e gjallë e historisë së popullit shqiptar që flasin më shumë se çdo gjë.

Studiuesi Buçioli është një hulumtues i njohur në Evropë

Eugenio Buçioli, autor i disa albumeve për historinë

Eugenio Buçioli, i cili është dhe autori i albumit “Shqipëria fronti i harruar i luftës së madhe”, ka lindur në Piavone Diaderso të Italisë në vitin 1930 dhe ka jetuar për një kohë të gjatë në kryeqytetin austriak, Vjenë. Buçioli është një hulumtues dhe kultivues i kërkimeve historike, shumë i njohur jo vetëm në hapësirën e Apenineve, por dhe në Evropë. Ai ka punuar për një kohë të gjatë pranë arkivave historike të Italisë, Austrisë, Hungarisë etj., ku ka mbledhur të dhëna dhe lajme mbi bashkatdhetarët e tij italianë, të cilët u rekrutuan forcërisht në ushtrinë Imperiale (Perandorake) të Austro-Hungarisë, duke i përpunuar ato në një formë narrative dhe më pas i ka botuar në shtatë libra me tregime. Përveç të tjerash, studiuesi i arkivave historike, Eugenio Buçioli, ka botuar dhe albumet “Venecia në objektivat Austro-Hungareze”, “Ballë për ballë fotot italiane dhe hungareze”, “Nga Moldavia në Piave”, “Legjionet çekosllovake të luftës së madhe” etj. Në parathënien e albumit, e cila është shkruar nga studiuesi i njohur i Universitetit të Venecias, Francesko Leoncini, jepet një pasqyrë njohëse mbi Shqipërinë, e cila ka qenë pjesë e Luftës së Parë Botërore, në pozitën gjeostrategjike që u gjend ndërmjet Baltikut në Adriatik dhe Egje. Ndërmjet të tjerash, në atë parathënie, autori shprehet: “Shqipëria ka qenë dhe është pjesë e Evropës Qendrore e nisur nga ky fakt, punët e saj, e në veçanti ato që janë konstrukturuar në këtë volum (album) me bollëk dokumentacioni fotografik, janë rishqyrtuar pikërisht nën këtë dimension të ri që bashkon Veriun e Jugun e asaj që mund të quhet Evropa e tretë”.

Fotot
1. Kopertina e albumit “Shqipëria fronti i harruar i luftës së madhe”, i autorit italian, Eugenio Buçioli, të cilin e ka botuar edicioni “Nuova Dimensione”

2. Disa prijës së parisë të Mirditës, Kthellës dhe Lurës në vitin 1868, të cilët morën pjesë në varrimin e Bibë Pashës 1. Nga e majta (në këmbë), Dedë Tuci (Kapidani i Nërfushasit) 2. (Ulur) Prend Dedë Ndoi, (Vojvoda e Gojanit) 3. Mustafa Jazi i Lurës. 4. Loro Gurakuqi (Sekretari i Bibë Pashës) 5. Marka Tuci (Kapidani i Nërfushasit)6. Dod Gjet Mëlyshi (Bajraktari i Kthellës). Foto Marubi, Shkodër 1868

3. Një nga repartet shqiptare të Batalionit Shëtitës (Special) të komanduar nga major Preng Jaku në vitin 1919, i cili vepronte për mbajtjen e rendit e shtypjen e rebelimeve

4. Ushtarë austro-hungarezë dhe civilë shqiptarë, duke parë foton e Princ Vidit në një vitrinë dyqani. Shkodër 1914 (foto e albumit të Eugenio Buçioli
5. Malësorë shqiptarë të Veriut, foto e cila është vënë në fillim të albumit të autorit italian, Eugenio Buçioli

Kur Enveri e Mehmeti kryqëzonin shkrimtarët në Plenumin e Komitetit Qendror

Botur ne gazeten SHQIP
29 tetor, 2006

Dossier

Për herë të parë, gazeta “Shqip” publikon raportin sekret të ish-kryeministrit Mehmet Shehu dhe bashkëshortes së tij, Fiqretit, mbajtur në Plenumin XV të Komitetit Qendror të PPSH-së, më 26 tetor 1965 me temë: “Roli i letërsisë dhe i arteve në edukimin komunist të masave”. Cilët ishin shkrimtarët që u kryqëzuan nga Mehmeti dhe romanet e tyre, që u konsideruan me përmbajtje armiqësore

Nga Dashnor Kaloçi


Në fillimin e viteve ’60, pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik dhe një sërë shtetesh të tjera të kampit socialist të Evropës Lindore, tek udhëheqja e lartë komuniste e Tiranës dhe kreu i saj, Enver Hoxha, u vu re një lloj hutimi dhe apatie. E cila konsistonte dhe kishte të bënte më tepër me kursin e ri politik që do të ndiqte Tirana zyrtare, pas atyre ngjarjeve që i shkaktuan asaj jo pak tronditje e probleme. Pas një acarimi të tejskajshëm dhe tendosjeje të luftës së klasave, që kishte ndodhur në vitet 1960 - ’61, gjë e cila solli dënimin e disa “grupeve armiqësore”, ku më kryesori ishte ai i Kundëradmiralit të Flotës Luftarake, gjeneral-major, Teme Sejkos, në vitet 1962-’65, u vu re një rënie tempi dhe zbutje të asaj lufte, që ishte bërë në kuadër të ruajtjes së pushtetit. Kështu, në ato vite, nxori krye, apo më saktë u duk një farë liberalizimi në jetën social-politike të vendit, e cila konsistonte në: kufizimin e arrestimeve dhe dënimeve për faje politike, dhënie bursash apo të drejtash studimi për bijtë e “reaksionarëve” dhe “klasave të përmbysura”, lejimi i librave të verdhë e literaturës së huaj, shfaqja e filmave perëndimorë në kinematë e vendit etj. Por ky farë liberalizimi, apo si të thuash “trullosja” e udhëheqjes së lartë të PPSH-së, e personalisht e Enver Hoxhës, nuk zgjati shumë. Aty nga fundi i vitit 1965, apo fillimi i 1966-ës, Enveri filloi të mblidhte atë që kishte “lëshuar”, gjë e cila filloi me fjalimin e tij “programatik” (Revolucionarizimi i mëtejshëm i jetës së vendit) të mbajtur në Plenumin e Komitetit të Partisë të rrethit të Matit. Pas atij fjalimi të mbajtur në frymën e mësimeve të “Revolucionit të madh kulturor”, që po zhvillohej në Kinë, lufta e klasave në vendin tonë u tendos përsëri. Madje, më e ashpër se më parë. Gjë e cila filloi me heqjen e gradave në ushtri (ku u dënuan me burgime të rënda dhe disa oficerë madhorë që e kundërshtuan atë vendim) dhe luftën kundër fesë, e cila solli prishjen e objekteve të kultit dhe ndalimin me ligj të besimeve fetare. Pas kësaj, objekt i sulmit të Enver Hoxhës do të bëhej elita intelektuale e vendit, me në krye shkrimtarët dhe artistët, ku si rezultat: pjesa më e madhe e tyre u hoqën nga Tirana dhe u dërguan për të jetuar e punuar për vite me radhë në fshatra të thella të vendit. Në këtë kontekst të zhvillimit të ngjarjeve, kësaj i parapriu Plenumi XV i KQ të PPSH-së, i cili u mbajt plot 41 vjet më parë, më datat 25 e 26 tetor të vitit 1965, nën drejtimin e Enver Hoxhës. Nga ai plenum, ku raportin kryesor me temë: “Rritja e rolit të letërsisë dhe i arteve në edukimin komunist të masave”, e mbajti sekretari i KQ të PPSH-së, Ramiz Alia, ne kemi përzgjedhur për botim, diskutimet e ish-kryeministrit Mehmet Shehu dhe bashkëshortes së tij, Fiqretit, e cila, asokohe, ishte në funksionin e sekretares së Komitetit të Partisë së Tiranës.

Plenumi hapet nga Enver Hoxha
Në dokumentin arkivor të atij plenumi, (AQSH F. 14. V. 1965, d. 2. fq. 1) pas rendit të ditës me temën që cituam më lart, shkruhet: “Plenumin e kryesoi sekretari i parë i Komitetit Qendror të PPSH-së, shoku Enver Hoxha, asistonin të gjith kandidatët dhe anëtarët e Komitetit Qëndror, me përjashtim të shokëve: Haki Toska, Nexhmije Hoxha të sëmurë, dhe Vito Kapo, Nesti Nase dhe Rrapi Gjermeni jashtë shtetit. Zhvillimi i Mbledhjes. Shoku Enver Hoxha. Shokë, në këtë mbledhje jemi prezent 76 anëtarë dhe kandidatë të Komitetit Qëndror, mungojnë me arsye pesë anëtarë dhe kandidatë, shumica është prezent dhe mbledhjen e deklaroj të hapur. Sipas rendit të ditës, që ju keni marrë, sot ne do të shqyrtojmë raportin e Byrosë Politike të KQ mbi rritjen e rolit të letërsisë dhe arteve për edukimin komunist të masave, që do të mbajë anëtari i Byrosë Politike dhe sekretari i Komitetit Qëndror të PPSH-së, shoku Ramiz Alia dhe diskutime. Jemi dakort që plenumi të zhvillojë punimet me këtë rend dite? Kush është dakort të ngrejë dorën (të gjithë shokët aprovojnë që plenumi të zhvillojë punimet me këtë rend dite). Si të ftuar në këtë mbledhje marrin pjesë sekretarët e parë të KP të rretheve që s’janë anëtar plenumi, ministrat dhe njerëz të letërsisë dhe artit. Jeni dakort që këtë shokë të marrin pjesë në plenium? Kush është dakort të ngrerë dorën. (Të gjithë shokët u shfaqën dakort) Atëhere, shokë, fillojmë”.

Diskutimi i Kryeministrit Mehmet Shehu
Shokë, çështja që u shtrua në raportin e Byrosë Politike dhe po shqyrtohet në këtë Plenium “Mbi rritjen e rolit të letërsisë dhe arteve në edukimin komunist të masave”, ka rëndësi të dorës së parë, sepse letërsia dhe artet konsiderohen nga partia si armë e fuqishme ideologjike në duart e saj për të luftuar të keqen dhe për të përhapur të mirën, për të vënë “gozhdën e fundit në arkivolin e borgjezisë” dhe për të krijuar anjeriun e ri, botën e re socialiste dhe komuniste. Jo më kot Stalini i ka quajtur shkrimtarët dhe artistët “inxhinjerë të shpirtit të njerëzve”. Është e vështirë që të gjesh një përcaktim tjetër më të përsosur mbi rolin e njerëzve të letërsisë dhe arteve në edukimin komunist të masave. Që këtej del se, po të duam që të rritet roli i letërsisë dhe i arteve në edukimin komunist të masave, duhet që letrarët dhe artistët të bëhen me të vërtetë “inxhinjerë të shpirtit të njerëzve”. Kjo do të thotë që ata më parë të pastrojnë shpirtin (ndërgjegjen) e tyre, pastaj të futen thellë në ndjenjat e njerëzve që përbëjnë ambientin, shoqërinë tonë, t’i studjojnë mirë këto (shpirtin dhe ndjenjat) dhe nuk mund të themi se nuk jemi vurnerabël nga influenca e këtij presioni ideologjik. Shkrimtari ose artisti, sidomos sot në kushtet tona, duhet të jetë tepër i qartë në shprehjet e tij. Ai shkruan dhe krijon për popullin. Në qoftë se populli nuk i kujton vjershat ose shkrimet, ose pikturën, ose skulpturën, ose muzikën e tij, këto nuk vlejnë asnjë grosh. Sot jemi në regjimin socialist, ku populli është në fuqi. Shkrimtari që është bir i popullit, s’ka pse ta veshi shkrimin e tij me mjegull, me fraza të pakuptueshme, me alegoria që krijojnë dyshime tek lexonjësi. Popullit i duhet folur hapur, qartë dhe me thjeshtësinë realiste artistike. Forca e fjalës artistike nuk qëndron në maskimin dhe errësimin, në vështirësitë e kuptimit, por në thjeshtësinë realiste artistike dhe në efektin e drejt për drejtë që ajo bën në ndjenjat shpirtërore të lexonjësit. Ne kemi nevojë për stilin popullor. Veçse “stili popullor-ka thënë Lenini-qëndron shumë larg nga vulgarizmi, nga banalizmi...Shkrimtari i thjeshtë nuk parakupton një lexues që nuk mendon, që nuk do apo që nuk di të mendojë...Shkrimtari vulgar parakupton një lexues që nuk mendon dhe që nuk është i aftë të mendojë..., i servir “të gatshme” të gjitha konkluzionet e një teorie të caktuar, kështu që lexuesi, s’ka nevojë ta përtypë, por vetëm ta gëlltirë këtë çorbë”. Shkrimtarët tanë duhet të jenë jo vullgarë por të thjeshtë.

“I gjithë populli të shkruajë vjersha e tregime”
Dhe mua nuk më duket që krijimtaria artistike në sferat e letërsisë, nuk duhet të mbetet pothuaj monopol pothuaj i vetëm i shkrimtarëve të Lidhjes së Shkrimtarëve. Pse të mos u hapim dyert masave të gjera punonjëse që të shkruajnë vjersha, tregime, novela e kritika? S’ka gjë, asgjë të keqe. S’ka rrezik të zbresim në vulgarizëm, por do krijohen mundësi më të mëdha për seleksionimin dhe shkrimtarët e afirmuar që duhet të lozin rolin e frymëzuesit e të pararojës në këtë veprimtari krijonjëse masive, do të gjejnë dhe ata vetë frymëzim në to, kurse kultura do të bëhet e masave në një shkallë më të madhe. Ndonjë shkrimtarë i sëmurë, për të fshehur kundërshtimin e tij, ndën maskën e novatorizmit, thyen e përmbys çdo rregull të shprehjes artistike, i paraqet mejtimet e tij të rrumbullakosura në formë veze, që mund të kujtohen edhe kështu edhe ashtu-edhe për mirë –edhe për keq. Ky tip ka kundërshtuar realitetin e aktualitetin tonë por nuk guxon që ta thotë mejtimin e tij haptas nëpërmjet fjalës artistike sepse ka frikë, por megjith’atë gjen forma “të përshtatshme”, “artistike”, forma të tjera “të reja” për të shprehur mejtimin e tij të dyshimtë.

“Ja lajthitjet e Fatos Arapit”
Ja p.sh. se ç’thotë Fatos Arapi në vjershat e tij të botuara nga Ndërmarrja Shtetërore e Botimeve “Naim Frashëri”: “Shkoj nëpër rrugë të porsaçelura / dhe fishkëllej ndër buzë tani / këngët e mija që askush s’i njeh... D.m.th. ai është futur në “rrugë të porsa çelura”, por që as këto rrugë të tija s’i njeh kush, si njeh populli. Pse? Sepse janë të huaja për popullin. Dhe më poshtë ai konkludon: “Lumturi tjetër / botës i duhet!/ Dhe më e drejtë / dhe më njerëzore...D.m.th., sipas tij tek ne s’ka lumturi sepse s’ka drejtësi, s’ka ndjenja njerëzore. Ose në një vjershë: “Un’ erdha të kuptoj / Që jeta është e bukur / E madhe sa shpesh herë / Në madhështinë e saj / Gëzim e frikë ndjejmë”. D.m.th. se ai ka frikë në qoftë se s’e ndjen veten fajtor? Ose nga kush ka frikë? Frikë nga armiqtë e atdheut? Atëhere s’je poet por je frikacak. Frikë nga diktatura e proletariatit? Ahere e ndjen veten fajtor para saj. Ky është një poet i ri që ka bërë edhe ndonjë vjershë të mirë. Por me këto vargje që cituam, dhe me shumë të tjera si këto, ai paraqet pikëpamjet politike të tij nëpërmjet fragmenteve të ndryshme, të mbira nëpër vargjet e tij si bari i keq në kopsht. Ja ç’thotë autori vetë në një vjershë të pabotuar: “Unë s’ju kuptoj dot që të gjithëve / Ju s’më kuptoni dot të gjithë / Po...qoftë një grimcë / prej meje në kapet / ahere më kapët ju tërësisht./ Unë jam i tëri / nëpër fragmente / Ka nëpër botë plot të pangrënë / Ecin mbi tokën barkuritur”. A nuk kemi të drejtë të mejtojmë se ky poet nuk pajtohet plotësisht me botëkuptimin dhe me realitetin e jetës sonë? Natyrisht që ai mund të jetë i ndreqshëm akoma dhe ne duhet të përpiqemi ta ndreqim, mbasi, fakt është se ai ka shkruar edhe ndonjë vjershë të mirë. Siç duket, ai ka konfuzion në trurin e tij. Por si mund të shërohet vetëm nëpërmjet këshillave të urta dhe kritikave miqësore, në qoftë se nuk ka vendosur që të shoj më tej në konfuzionin e kundërshtimit të tij politik dhe ideologjik.

“Kritika edhe nga qytetarët e thjeshtë”
Kritika letrare duhet të zgjerohet. Vetëm me kritikë të hapët mund të ndreqen njerëzit. Dhe mua më duket se kritika letrare duhet bërë jo vetëm nga disa persona që specializohen si kritikë letrarë. Kur një vjershë, një roman, ose një pjesë muzikore nuk janë në rregull nga pikëpamja politike ose ideologjike, këtë kritikë mund ta bëjë jo vetëm ai që është specializuar si kritik letrar ose muzikor, por edhe çdo njeri i artit, bile çdo qytetar i thjeshtë. Prova më e mirë për të marrë çertifikatën e qytetarisë për një vepër artistike është opinioni publik, i frymëzuar nga mësimet e partisë. Duhet thënë se kritika dhe autokritika midis shkrimtarëve tanë, nuk është në lartësinë e duhur. Shkrimtari ose artisti duhet të ketë inisiativë dhe kurajo për të thënë fjalën e vetë. Pa një luftë opinionesh nuk mund të zhvillohet arti dhe kultura. Dhe kjo luftë duhet bërë nga vetë artistët dhe shkrimtarët e jo të pritet çdo gjë nga lart, nga partia. Natyrisht partia e drejton artin e kulturën. Por vetë-veprimi në sektorin e letërsisë dhe artit merr një rëndësi më të madhe.

Diskutimi i Fiqret Shehut
Shokë, duke bërë një analizë të gjithanshme e të thellë punës së deritanishme në sektorin e letërsisë e arteve, dhe duke përcaktuar orientimin për të ardhmen, raporti i Byrosë Politike i mbajtur në këtë Plenium nga shoku Ramiz Alia hap para shkrimtarëve dhe artistëve horizonte të reja e do t’i frymëzojë ata për një krijimtari me përmbajtje sa më të lartë ideologjike e me nivel sa më të denjë artistik, gjë që do t’i shërbejë zhvillimit të mëtejshëm të drejtë të letërsisë dhe arteve në vëndin tonë. Në raport shtrohen qartë edhe detyrat e organizatave të partisë për një udhëheqje e përdorim më të mirë të letërsisë dhe arteve në punën për edukimin ideo-estetik të masave. Për këtë arsye, ky Plenium i K.Q ka një rëndësi të madhe për të gjithë partinë. Por ky plenium ka një vlerë të veçantë për organizatën e partisë të qytetit të Tiranës, për një arsye se institucionet qendrore artistiko-kulturale dhe shumica dërmonjëse e shkrimtarëve dhe artistëve ndodhen në Tiranë. Kështu nga 220 anëtarë e kandidatë të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve krijonjës në të gjithë vëndin, 180 janë në qytetin tonë dhe në 3 institucionet qendrore artistike janë 131 artistë ekzekutonjës. Këtej del qartë si rëndësia që ka ky plenium i KQ për organizatën tonë të partisë ashtu edhe përgjegjësia që bie mbi ne që punojmë në komitetin e qytetit të Tiranës, si sekretarë të tij dhe si anëtarë të Pleniumit të KQ, për të metat dhe dobësitë që janë vërtetuar në sektorët e letërsisë dhe arteve, e për çfaqjet e huaja në krijimtarinë e disa shkrimtarëve dhe artistëve, për të cilat u fol në raportin e Byrosë Politike. Në këto kushte bëhet akoma më i nevojshëm përmirësimi i punës ideologjike për ta ruajtur të pastër inteligjencën tonë të sektorëve të artit e letërsisë dhe për të evituar çfaqet e huaja në letërsi e arte, sado të vogla qofshin, për t’i luftuar ato që në embrion, për të mos lënë që të rriten e të bëhen pastaj tendencë, të bëhen të dëmshme për shoqërinë tonë.

“Drama e Arapit mohon heroizimin”
Në raportin e Byrosë Politike, ndër të tjera, u bëhet një analizë e gjithanëshme disa shfaqjeve të huaja që janë vërejtur në letërsi dhe arte, duke u treguar edhe burimi i tyre si dhe rrugët për kapërcimin e tyre. Duke u munduar të mos bëj përsëritje, unë dëshiroj të theksoj se, nën pretekstin e novatorizmit ose të kërkimit të së “resë” në art dhe për të qenë “origjinale”, nën pretekstin e luftës kundër “skematizmit”, “arkaikes”, konservatorizmit dhe “shabllonizmit” nën pretekstin e “shprehjes së realitetit”,-në krijimtarinë e disa shkrimtarëve që punojnë në qytetin e Tiranës, janë vërejtur qëndrime të huaja ideologjikisht e shtrembërime të realitetit të sotëm e të luftës nacional-çlirimtare. E në këtë drejtim, përveç dramës së Fatos Arapit “Drama e një partizani pa emër”, që përmendet në raport e që është me të vërtetë një shembull shumë tipik, sepse në të mohohet haptaz heroizmi i kohës së luftës, shtrembërohet realiteti i atyre viteve të lavdishëm të luftës revolucionare të popullit tonë, duke i bërë të gjithë personazhet të frikëshëm, të lëkundur, mund të përmirësohet poema e po këtij autori “i përkasim komunizmit”, në të cilën ai i përforcon këto pikëpamje të tij, duke ngritur flamurin kundër heroit pozitiv dhe arrin deri aty sa të njollosë heroizmin partizan. Me këtë poemë autori polemizon, me përçmim, me gjithë shkrimtarët dhe poetët tanë që kanë ngritur lart në veprat e tyre heroizmin e partizanëve, për të cilët akoma nuk është shkruar sa duhet.

“Naum Prifti s’njeh realitetin
Nën pretekstin e paraqitjes së jetës ashtu siç është, në ndonjë rast, është shtrembëruar edhe realiteti i ditëve tona, siç është bërë p.sh. në dramën e Naum Priftit “Rrethimi i Bardhë”, autori i së cilës, veç të tjerave, siç paraqitet në vepër, as që i njeh sadopak marrëdhëniet shoqërore që ekzistojnë në shoqërinë tonë të re. Duke u nisur, qoftë edhe nga kjo vepër e dështuar, duket qartë edhe një herë se sa rëndësi të madhe ka për shkrimtarët dhe artistët njohja e jetës, si kusht i domosdoshëm për të krijuar një vepër letrare e artistike me përmbajtje të lartë ideologjike e ideo-artistike. Dhe duhet thënë se njohja e jetës nuk është një problem thjesht organizativ, për zgjidhjen e të cilit duhet të merren vetëm disa masa, duke dërguar disa shkrimtarë o artistë në bazë, siç mendojnë disa. Njohja e jetës nga shkrimtari e artisti është në rradhë të parë një problem i rëndësishëm ideologjik, sepse të njohësh e të pasqyrosh jetën realisht në krijimtarinë letraro-artistike, nuk do të thotë të jetosh vetëm fizikisht në bazë o të shkosh si për ekskursion në ndërmarrje o kooperativë, por të përpiqesh të njohësh thellë marrëdhëniet shoqërore midis njerëzve, ta njohësh punëtorin në marrëdhënie me shokët e me makinën, të hysh thellë në mentalitetin dhe psikologjinë e personazheve që do pasqyrosh, të shohësh qëndrimin e tyre ndaj punës, pronës etj, të njohësh idealet për të cilat ata luftojnë e aspiratat e tyre.

“Jo personazhe mbretërish në letërsi”
Letërsia për fëmijë është zhvilluar shumë pas çlirimit. Kjo është shumë pozitive. Por mua më duket se nuk pajtohet me parimet tona që fëmijët t’i edukojmë me përralla ku heronj janë mbretërit, princeshat apo magjistaret. Edhe këtu shkrimtarët tanë mund të gjenin subjekte jo vetëm në natyrën e në jetën që na rrethon, por edhe në folklorin tonë të pasur e të shëndoshë. Së fundi, më duket se duhet menduar më shumë për brezin e ri duke botuar vepra që frymëzojnë akte patriotizmi dhe heroizmi si dhe për zgjerimin dhe nxitjen e njohurive të të rinjve të moshave 12-18 vjeç duke përkthyer më shumë vepra vulgarizimi shkencore e teknike. Aprovoj plotësisht raportin e Byrosë Politike mbi letërsinë e artin të mbajtur nga shoku Ramiz Alia dhe angazhohem se do të vë të gjitha forcat për të kryer detyrat që na vë Partia në këtë Plenum të Komitetit Qëndror.


Në 1966-ën, pjesa më e madhe e shkrimtarëve dhe artistëve u dërguan në fshat

Kadare, Shuteriqi, Arapi, Siliqi etj., u përzunë nga Tirana
Pas Plenumit XV të KQ të PPSH-së, të mbajtur më 26 tetor të vitit 1965, i cili nën drejtimin e Enver Hoxhës u mblodh për të diskutuar mbi temën “Rritja e rolit të letërsisë dhe arteve në edukimin komunist të masave”, për shkrimtarët dhe artistët e Shqipërisë do të fillonte një dramë e vërtetë. Vetëm katër muaj më pas, në shkurtin e vitit 1966, Komiteti Qendror i PPSH-së dha direktivën që: “Shkrimtarët dhe artistët duhet të qarkullojnë në bazë e të shkrihen me masën, sepse duke jetuar me hallet e popullit, ata do e njohin më nga afër realitetin që do të përshkruajnë në veprat e tyre”. E gjitha kjo bëhej nën frymën e “Revolucionit të madh kulturor të Kinës”, të cilin udhëheqja e lartë e PPSH-së përpiqej ta zbatonte pikë për pikë në kushtet e vendit tonë. Pas kësaj direktive të KQ të PPSH-së, e cila ishte vendosur nga Byroja Politike, u ngarkua Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve për ta zbatuar. Dhe si rezultat: në muajt shkurt-mars 1966, në Lidhjen e Shkrimtarëve filluan të thërriteshin një nga një, shkrimtarë, kompozitorë, piktorë, skulptorë e artistë nga më të njohurit, duke u marrë atyre mendimin se në cilin vend dëshironin të shkonin dhe ku mund të punonin. Pas kësaj, shkrimtari i njohur, Ismail Kadare, u dërgua në Berat, Dhimitër Shuteriqi në Rubik, Llazar Siliqi në Shkodër, Kol Jakova dhe Spiro Xhai në Laç të Kurbinit, Tonin Miloti në Rrëshen, Nasho Jorgaqi dhe Luan Qafëzezi në repartet ushtarake të rrethit të Durrësit, Naum Prifti në Divjakë, Gjergj Zheji në Krujë, Moisi Zaloshnja në Skrapar, Qamil Buxheli, Andrea Varfi, Petro Marko, Fatos Arapi e Kudret Velça në fshatrat e rrethit të Vlorës etj. Shumë prej këtyre shkrimtarëve dhe artistëve punuan direkt në prodhim, ndërsa vetëm një pjesë e vogël e tyre u sistemuan si mësues në shkollat e fshatrave apo drejtues në Vatrat e Kulturës. Me këtë veprim, udhëheqja e lartë e PPSH-së dhe personalisht Enver Hoxha, i bënin presion të hapur inteligjencës shqiptare, duke iu lënë të kuptonin se: edhe ata mund të përfundonin në skëterrë, atje ku jetonte shumica e shqiptarëve.

Tuesday, October 24, 2006

Kur Shqipëria e Zogut promovonte turizmin kulturor në Francë

Botuar ne gazeten SHQIP
Gusht 2006


Dossier


Si promovohej turizmi kulturor në periudhën e Mbretit Zog me anë të miqve të Shqipërisë si francezi Fernand Vaten, që kishte vizituar vendin tonë, i cili më 1935-ën mbajti një konferencë mbi Shqipërinë dhe shqiptarët në qytetin Sen Llo, ku ishte prefekt nderi. Dhe konferencat publike të profesorit Petraq Pepo në qytetin e Korçës, mbi mënyrën se si duheshin thithur turistët e huaj

Kur Shqipëria e Zogut promovonte turizmin kulturor në Francë

Nga Dashnor Kaloçi

Në emisionin “Ekskluzive” të transmetuar kësaj të diele në televizionin “Top-Cannel”,(prodhim i Departamentit të Informacionit i këtij televizioni), ku gazetarja Genta Popa kishte zgjedhur për të trajtuar temën e turizmit në vendin tonë dhe në atë të fqinjit verior, Malin e Zi, ndër të tjera u vu re se ministri i Turizmit i shtetit të porsakrijuar malazez, në intervistën e tij theksoi se një nga mënyrat e marketingut që ata kishin përzgjedhur për thithjen e turistëve të shumtë nga bota ishte dhe ajo e reklamave televizive në stacionet e njohura, si BBC apo Euro News. Gjë që në vendin tonë, jo vetëm për këtë stinë turistike që sapo kaloi, por edhe gjatë gjithë periudhës 15-vjeçare postkomuniste, ka qenë fare e panjohur dhe nuk është aplikuar asnjëherë. Është për të ardhur keq që nuk ndodh kjo, pasi tradita në këtë fushë (ndonëse me mënyra të tjera), në vendin tonë jo vetëm që nuk ka munguar, por ajo është aplikuar që në kohën e Monarkisë së Zogut. Në mungesën e teknologjisë së sotme të mjeteve të komunikimit masiv, asokohe gjendeshin mënyra të tjera për të promovuar turizmin kulturor dhe për të thithur turistët e huaj. Për këtë gjë bëjnë fjalë dhe dy shkrimet e mëposhtme, të cilat i kemi shkëputur nga gazeta “Besa” e Tiranës e vitit 1935 (me pronar e botues Fiqri Rusi), ku pasqyrohet fare qartë se çfarë bënte në atë kohë qeveria e Mbretit Zog për promovimin e turizmit dhe ardhjen e turistëve të huaj në vendin tonë. Për të sjellë në kohë atmosferën e atyre viteve, të dy shkrimet që kemi përzgjedhur po i japim të plota dhe pa asnjë ndryshim (nëntitujt janë vënë nga ana jonë) nga sa janë shkruar në gazetën në fjalë.

Një konferencë mbi Shqipërijnë
Marë nga gazetat frenge; “Le Courrier de la Manche” dhe “L’ Ouest-Eclair” (Përkthyer nga z. S. KOLEA)
Në Sen-Elo (Saint-Le) qëndër të Prefekturës së Manikës (Manche), të Mankës’ në të Vjeshtës’ së Tretë të vitit’ të kaluar, Zoti Fernand Vaten (Vatin) mbajti një konferencë mbi Shqipërinë përpara një rrethi të gjërë paresije Zonjash dhe Zotërinjsh. Zoti. F. Vaten, doktor në Drejtësije dhe Prefekt nderi, është nga të pakët të kombit’ të tij q’i ka shetitur’ dhe shetin botën vetëm’ se vetëm’ që të shoh sa më shumë qytete njerëzish dhe t’u njoh mëndje dhe jetën. Përveç Francës dhe vëndve rreth e përqark. Zoti Vaten ka bërë rrugëtime të gjata në Europën’ e mezit’ në Europën e lemesë, në Sardenjë, në shumë krahina të Afrikës, tyke qëmtuar lëndë të zgjedhurë të qyshdo dore, që pastaj i bëhet gjësenda e vepravet’ të shuma që kanë dalur’ nga penda e tij. Përmbi dyzet vepra me lëndë të ndryshme, janë dëshmitarë të gjallë të zotsijës’ së tij si vëshgjimtar i thellë dhe si shkrimtar i palodhurë.

Udhëtimi në Shqipëri i francezit Vaten
Në Shqipëri Zoti Vaten dhe Zonja e tij qëndruanë për më shumë se një muaj kohë (në Gushtin e tërë gjer më 8 të Vjeshtës së Parë 1934) dhe shëtitën gjithë krahun e jugut duke pasur kështu ngeh dhe kohë të gjatë për të parë për së imti sende, që s’ka si shifen n’ një rrugëtim shkel e shko siç bëjnë shumica e të hujvet. Mu’ pra, këto kujtime shtroj para mbledhjes së zgjedhurë të Sen-Lloditë, tyke zbukuruar fjalën e tij me pamje dhe fotografija që pat marrë në Tiranë, në Elbasan, në Berat, në Korçë e ngjetiu. Konferenca që u zgjat për më se dy orë kohë, qe përkrahur nga Shoqëria e Arqeolohgjisë dhe u mbajt në sallën e madhe të festave të Bashkijës së qytetit. Bota që rrudhi për të dëgjuar fjalën plot hije dhe gjallnijë të ligjëritarit të shquar qe aq shumë, sa mezi mundi të gjej vënt në atë sallë, përndryshe tepër e gjerë. Është me aftë të shënojmë se konferenca nisi me një përmbledhje të jestorijës, së vjetër dhe së vonë të Shqipërijës. Zoti Vaten nuk la në harrim as rrënim, e shkretimet që i kanë lënë luftarat të fundit, në të cilat bijtë e saj nuk patën dorë aspak, mu si nuk patën dorë as në luftat më të hershme kur sundimtarët të huajë erdhën e danë ngarravijat të vehta në fushat e Shqipërijsë. Zu në gojë luftën e Qesarit kundër Pompejt rreth e përqark Durrësit’ dhe luftën afër Sarandës’ ku Antoni që kishte me vehte dhe Kleopatrënë, mbretëreshën e fundit’ të Misritë, prej gjaku shqiptar. Për Shqipërijën e sotme Zoti Vaten tha se nga gjate e gjerë është afro një shkallë e mesme me Belgjikën e Shvicrrën; po sikur të qe të mblidhesh i tërë kombi shqiptar ndënë një të vetëm sundije kombëtare, kufizat e Mbretërinjës’ së tij’ së lirë gjan zgjeroheshin gjer dy fije më tepërë, nga që janë të shumtë shqiptarët që kanë mbetur jashtë kufijavet të sotme në Jugoslavijë dhe në Greqisë.

Vend i bukur ku mbretëron qetësija
Vëndi është i bukur për t’u shkruarë dhe cosa pika munt të vihet krah për krah me Shvicrënë. Toka është pëllore dhe me pak më shumë kujdes shpërblen me duarë plot djersën që i derth njeriu; gjithë prodhimeve të Europës së Perëndimit vijnë në Shqipërijë, dhe vijnë me vërshë dhe të dorës së mirë. Dhe gjith kafshët shtëpijake që njeh Evropa rriten dhe bëjnë ondije në tokën e Shqipërijës. Rrugët janë të shtruara për të lëvrijtur anë e mbanë automobilat, të cilat në Shqipërijë zënë vendin e udhëvet të hekurta që sot për sot i mungojnë. Qetësija dhe sigurija janë të plota. I huaji, pra, munt të rrugëtonjë dhe me lehtësijë edhe pa kurrë farë friket, qoftë ditën qoftë natën. Gjindja në mënyrë të përgjithshme është zemër e derëçelur për të huajtë, të cilët gjejnë gjithkund vënt për të bujtur, të pajuar, me shumën e herës me të gjitha lehtësijat të jetës së sotme; vetëm ndër vise të mënjanuara, o ndër malësija munt të shënohen mungesa mbi këtë pikë.

Tirana, kryeqyteti duke u rritur
Kryeqyteti i Mbretërijës është Tirana, një qytet i vogël që vete duke u rritur dhe duke u përsëritur dhe duke u zbukuruar dita për ditë. Projti i kryefillmë është Durrësi; pas tij vijnë Vlora, Saranda dhe Shën-Gjini; në të gjitha këto projte zënë tok për ditë vaporat të shoqërijavet detare të Italijës dhe Jugoslavijësë. Shqiptarët kanë rrënjën nga Pelëshgjetë q’ë shumë shekuj para kohës së Krishtërimit, patën zbritur nga Azija e afërt dhe zunë vënt në gjthë krahinat t’ë Ballkanisë duke ushtrirur gjatë Dalmacisë gjer në bregun e tejmë të Detit të Bardhë, në shumë krahina të Italijës. Peleshgjit, ushdukën’ nga gjithë këta vise, duke u tretur ndër kombe t’jerë që mësyjnë vendet njeri pas jetritë’ vetëm në Shqipërijë rrojnë sot nipërit e tyre.
Shqiptarët burra trima, të shquar e të pashëm
Shqiptarët’ janë burra të pashëm, të shëndoshë, zemërgjerë, derëçelur, trima me lëndijë të madhe për çdo sent që i takon lirijës dhe nderit. Ky komp që lëngojë për pesë shekujsh kohë ndënë zgjedhën e Tyrqvet, ka qitur në dritë njerëz të mëdhenj në çdo degë veprimi të njerzsisë. Fletët të jëstorijës kujtojnë shumë emra Shqipëtarësh që ushquan si prijës ushtrijash si politikanë të hollë si qeveritarë të zotë. Pas shlirimit të vendit nga zgjedha e huaj dhe sidomos pasi u shpërndanë retë e zeza të luftës së madhe, Shqipërija u vu në rrugën e përparimit në të gjithë degat e jetës njerëzore. Ky përparim po zhvillohet me çapa viganjsh që ditën që mori frerin e qeverimit L.M. e Tijë, Mbreti Zogu i I-rë. Janë pemët të zotsijës së Tij të palodhura gjithë sa shifen sot në Shqipërijë, të cilën e pat mbuluar mjerimi pas luftavet të fundit. Është mëndja e gjërë e L.M.së Tij Mbretit dhe krahu i Tij i pushtetshëm që dijti me anën e një qeverrimi të fortë po njëherit dhe atëror, të zhvillojë dhe të rregullojë çapat’ të Kombit të tij’ në rrugën e jetës Kombëtare.

Harmonia fetare
Për nga ana e fes, Shqiptarët janë për dy të tretat Myslymanë dhe për nj të tretat të Krishterë (Ortodoksë e Katolikë) po të gjithë kanë sinjë të gjallë në zëmër mallin e atdheut, që i vëllazëron, dhe të gjitha janë prapa Mbretit të tyre në luftën e rrebtë së cilës i është përveshur L. M. e Tij Zogu i I-rë për të kaoatitur me çdo mënyrë jetën e kryembëvetës të kombit të Tijë dhe për të prijtur në rrugën e lumturijës”. (Gazeta “Besa”, e Mërkurë 16 Nëndor 1935)


Konferencë e Z.Prof. Petraq Pepo, me themën ”Turizmi dhe Shqipëria Kulturore”

Pardje të dielën, në lokalin e cinemasë “Lluka” të këtij qyteti. Z. Prof. Petraq Peppo, mbajti, para, një shumice populli dhe inmtelektualësh, konferencën e paralajmëruar me themën “Turizmi dhe Shqipëria kulturore”. Shqipëria-filloi të flasë z. Peppo-përpara Luftës Ballkanike ishte pak e njohur dhe e konsideronin këtë si një vend të shkretë ku banonte një popull kusarësh, por tani ka vjete që janë botuar shumë libra që flasin mi të vërtetën e këtij vendi, andaj Shqipërija po njihet më tepër. Po megjithë këtë vendi ynë nuk tërheq aq turistë sa tërheqin shtete të tjera të Ballkanit, megjithqë Shqipërija në mesjetë tërhiqte shumë më tepër të huaj, sepse vendi t’onë si fort mirë dihet, ndodhet në boshtin e Mesmë të Detit Mesdhe dhe është aq largë Sirisë sa edhe Gjibraltarit. Veç kësaj-vazhdoi Zoti Peppo-Shqipërija megjithqë është një vend malësor, nuk është një ndalim për udhëtarët se ka lugina që i bien kryq dhe është vendi në Ballkan që i afrohet miq tepër Evropës së qytetëruar. Andaj ndodhemi në një gjendje t’ë favorshme për të tërhequr turistët, pse sot turismi është zhvilluar shumë dhe shumë shtete kanë fitime të mëdha nga të huajt, sipër shembull zvicerianët dhe grekët. Për këtë qëllim-theksoi Zoti Peppo-u formua në Tiranë një Zyrë Turistike por që të sjellë kjo zyrë efektet e duhura, duhet që antarët e saj të sjellin një kujdesje të veçantë dhe të krijojnë punët me sistem. Midis shumë gjërave-thotë konferencieri–që tërheqin tursitë, është dhe arhelogjia dhe arti. Shqipërija në pikëpamjen e arheologjisë qëndron në dorën e parë, se në kohërta e vjetra guxojmë të themi, vendi tonë ishte zemra e qytetërimit dhe për këtë mjafton të kujtohen qytetet që lulëzuan asi kohe sio Scodra (Shkodra) Metallum (Shën Gjini) Buthrotum (Butrintoja) Apollonia (Pojani) e tj. Shqipërija që në kohrat prehistorike dhe protohistorike banohesh, se arheologët e ndryshëm e të shumtë kanë gjetur sende gjithfarësh që përdornin njersit e asaj kohe. Në Butrinte, shton konferencieri, janë gjetur sende që përdorin Ilirjanët, gjë interesante për ne se na provon që përpara se të huajt të vinin në vendin tonë, ky banohesh prej gjyshërve tanë Ilirjanë... Gjithashtu janë gjetur shunmë tumuli në vënde të ndryshme të Shqipërisë dhe nuk duhet harruar se epoka greko-romane sjell një kujdes të madh për vendin t’onë se qytetërimi arrin kulmin, arti, skalaktika dhe arkitektura u përhapën aq shumë sa vlefta e tyre krahasohet me veprat e qyteteve më të famshme t ‘asaj kohe. Këtu konferencieri zhvilloj gërmimet arheologjike që janë bërë në Butrintio dhe në Apolloni, foli p.sh. mbi Portikën që është 77 m. e gjatë që u zbulua në Pojan, mbi kokën prej mermeri të Oktavit, mbi statujën e Ceres-it, mbi kokën e mermertë të një gruaje. Mbi Seramikët, mbi Mozaikët, Bas-relief që u zbuluan po ashtu në Pojan etj etj...Vazhdoi pastaj dhe përhapi gjat e gjerë mbi mithollogjinë e Butrintos “Buhtrati açedimus urben”, foli mbi Eneidën, Piron, Andromakën etj... si edhe mbi sendet e ndryshme që janë gjetur në gërmimet e bëra në këtë vend, të cilat rradhiten në moshën e gurit e të tunxhit, mbi epokën klasike, mbi muret e Akropolit, sidomos mbi portën monumentale q’i përngjan shumë Porta Scea të Trojës para së cilës u zhvillue dyeli legjendar midis Arhileut dhe Ektorit, duke u zgjatur edhe në gërmimet e vitit 1931, të cilave u dha rëndësi të veçantë sepse këto gërmimje zbuluan një Theatër madhështor, zhvilloj pjesët e kësaj theatroje dhe përshkoj në pikëpamjen poetike, kokën me një famë të përbotëshme, q’u zbulua në ato gërmime, e që u quajt, La Dea di Butrinto. Konferencieri përshkrojti përgjithsisht arhitekturën dhe pikturën e kishave dhe veçanërisht u tha se në disa kisha gjenden shënjtorë që kanë veshje Shqiptare, gjë që na provon se artisti ishte influencuar prej zakoneve të vendit t’onë...Foli gjithashtu edhe mbi Xhamitë edhe minaret të cilat i përshkojti si në pikëpamjen e arhitekturës ashtu dhetë pikturës dhe shpjegoj me mjeshtëri dekorin epigrafik të letrave arabe në Teqenë e Krujës...Zhvilloj bukur e mirë fortesat në Shqipëri, artin e grave, të qilimave, të tapetave, me të cilat i gjeti shumë interesante si nga subjekti ashtu dhe nga stili...Më pas shpejgoi edhe stolisjen e veshjes Shqiptare dhe zbukurimet e armëve, si dhe punimin e hollë të argjendit... Më në fund, konferencieri t’onë i çquar, me talentin e tij të bukur e me një gjuhë t’ëmbël, provoj se Shqipërija është vendi turistik i dorës së parë, si nga natyra që krahasohet me Zvicrrën, si nga aherollogjia që nuk ka frikë t’i dalë ballë hapur Greqisë, por duhet të bëhet një propagandë e madhe dhe e pareshtëshme që të tërheqim turistët, të cilët kur të vinë në Shqipëri, do të na kujtojnë, do të na duan e do të lënë miliona e do t’i tregojnë botës se jemi një popull që kemi vendosur të jetojmë të lirë dh të lumtur. Shtojmë me këtë rast të bukur se vetë Zoti Prof. P. Peppo është i vetmi nga arsimtarët e këtij qyteti që vit për vit pa u kursyer as pak, mban nga dy tre konferenca publike, mbi subjekte të ndryshme q’i intersojnë shumë vendit t’onë. Por nuk duhet harruar se Profesori t’onë i mirnjohun edhe si arsimtar e ka përmbushur plotësisht detyrën e tij; me shumë sakrifica ka shpurë nxënësit të Lyceut në Berat, Muzeumin e Fierit, në Pojan, Mborje, Voskopojë e gjetkë, ku ka shpejguar në vënd qytetërimin e vendit t’onë në kohë të kaluar. Për të gjitha këto, Profesori t’onë i palodhshëm është për t’u lavdëruar dhe nuk i duhet kursyer përkrahja e duhur në raste të tilla.

(Gazeta “Besa” e Mërkurë 30 Nëndor 1935)